Festivali ndërkombëtar folklorik “Rudina Fest”, i pari i këtij lloji në rajonin e Gostivarit po bënë përgatitjet e fundit për festën e madhe në edicionin e dytë të tij. Ai vjen nën organizim të shoqërisë kulturore artistike “Jahi Hasani” nga Çegrani dhe do të zgjasë katër ditë nga data 20 e deri më 23 korrik. Zani Memedi, drejtor i festivalit dhe i SHKA “Jahi Hasani”, në konferencë për shtyp sqaron se do të jenë 15 ansamble dhe grupe artistike nga 9 vende të ndryshme të botës që do të performojnë katër netë. Festivali do të fillojë nga sheshi “Kosova” në Çegran. Befasi pë publikun sivjet është pjesëmarrja edhe e një ansambli nga Amerika Latine, gjegjësisht nga Kili. Memedi bëri me dije se sponzorët kryesor janë Komuna e Gostivarit, ajo e Tearcës dhe Ministria për Kulturë. Ai ka falenderuar edhe sponzorët e tjerë, mesin e tyre UEJL-në, pasi te konvikti i studentëve të këtij universiteti do të vendosen mysafirët.
Memedi zbuloi se sivjet si nikoqir do të monitorohen nga CIOFF Maqedoni, pasi “Rudina fest” ka hyrë në agjendën botërore të festivaleve dhe kjo sa i bënë ata krenarë rrit edhe përgjegjësinë si organizatorë.
Më 20 korrik festivali do të hapet në fshatin Çegran, më 21 korrik do të vazhdojë në fshatin Forinë, më 22 korrik ansamblet do të defilojnë në fshatin Çajlë duke vazhduar në mbrëmje tek amfiteatri i qytetit dhe më 23 korrik festivali do të zhvendoset në qytetin e Gostivarit me defile dhe me mbrëmjen finale tek parku i madh i qytetit, tha drejtori artistik i festivalit “Ruda Fest”, Berat Xhelili.
SH.K.A “Jahi Hasani” vjen me një valle me motive nga Reka e Epërme enkas për edicionin e dytë të festivalit “Rudina Fest”, zbulon Nurian Ilazi, përgjegjës artistik i festivalit “Rudina Fest”.
Në edicionin e sivjetëm të festivalit pritet të ketë rreth 400 persona pjesëmarrës. Ndryshe, ky festival mbanë emrin “Rudina Fest”, pasi për t’u organizuar ngjarje të mëdha dhe me rëndësi të veçantë, padyshim që nevojitet një vend i madh e i sigurt. I tillë ka qenë fshati Çegran, më i madhi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin gjendet edhe vendi historik i quajtur Rudinë ku në vitin 1990 me 40 mijë pjesëmarrës u organizua pajtimi i gjaqeve nga të gjitha trojet shqiptare. Ndërkohë, gjatë përpjekjeve për liri të popullatës shqiptare në Kosovë, Rudina e Çegranit që dikur kishte pritur krushqit e Anton Çetës, në vitin 1999 u bë fole e ngrohtë për dhjetëra mijëra bashkëkombas, pasi aty u ngrit kampi i parë për refugjatët nga Kosova ku afro 100.000 njerëz rrotulloheshin çdo ditë.