Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se do të flasë me ministrat në mbledhjen e sotme të Qeverisë, në lidhje me mundësitë për shtyrje të afatit për vlefshmërinë e pasaportave me emrin e vjetër të shtetit, përcjell TV21. Kovaçevski nuk premton zgjidhje, marrë parasysh se bëhet fjalë për obligim që del nga marrëveshja me Greqinë.
“Sërish do e përmend, me të vërtet kanë bërë përpjekje mbinjerëzore të punësuarit në MPB, atë kanë ndërruar 1.2 milionë pasaporta, mbeten ende. Njerëzit punojnë edhe në festa, edhe të dielave dhe kështu me radhë, do të flasim, ky është proces që duhet të përfundojë, duhet të përfundojë”, theksoi Kovaçevski.
I pari i ekzekutivit thotë se për këtë problem nuk ka folur me autoritetet greke, ndërsa thekson se presidenti Stevo pendarovski mund të flasë me presidenten greke.
“Me autoritetet greke nuk kam folur, presidenti i shtetit më duket e mori për obligim që të dëgjohet me presidenten e Greqisë, kemi bisedime me ministrat e resorëve. E pash edhe nismën e VMRO-DPMNE-së në Gjykatën Kushtetuese, do të thotë atë nismë unë nuk e hedh poshtë, nuk ka arsye që ta hedh poshtë”, pohoi Kovaçevski.
Ndryshe, me 12 shkurt përfundon afati i përdorimit të dokumenteve personale me emrin e vjetër të shtetit. Shtetasit e Maqedonisë së Veriut për përdorim të jashtëm do të duhet të kenë dokumente personale me emrin e ri të shtetit, gjegjësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut.