LajmeMaqedoni

Hasani: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur rezultate mbresëlënëse në drejtim të integrimit evropian, ne kemi përfunduar me sukses procesin e skriningut dhe jemi në pritje të hapave të mëtejshëm. Të dy vendet u përballën me sfida të shumta gjatë rrugës. Së bashku kemi kaluar një pjesë të madhe të këtij rrugëtimi duke mbështetur njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi ynë duhet të thellohet dhe forcohet më tej dhe duhet të bëjmë më shumë për ta parë rajonin aty ku duam të jetë.

Kështu theksoi ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun dhe nikoqirin e tij, shefin e diplomacisë, Bujar Osmani, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sot më shumë se kurrë vendet tona, shoqëritë dhe shtetet tona ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në këtë vit zgjedhor kur ju presin zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Presim që ky proces të jetë i suksesshëm dhe mbi të gjitha të mos sjellë ndonjë ndryshim në mendimin tuaj për të ardhmen evropiane”, theksoi Hasani.

Në këtë kontekst, ai përshëndeti rolin institucional të komunitetit shqiptar për stabilitetin e vendit, veçanërisht, siç theksoi, për ruajtjen e perspektivës euroatlantike, rrugëtim i mbushur me sfida dhe vështirësi.

Shqipëria, tha Hasani, ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet konstruktive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në proceset politike dhe përpjekjet për konsolidimin e shtetit të së drejtës, demokracisë, kohezionit social dhe barazisë mes të gjithë qytetarëve./Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button