LajmeMaqedoni

Arsovska kryetare e Alternativës së Re: Do të marrim pjesë në zgjedhjet e 8 majit

Pjesëmarrja e sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Mile Zeçeviq në aktivitetin partiak të Alternativës së Re ku kryetare u zgjodh Danella Arsovska, ka nxitur reagime. Nga LSDM-ja thonë se pjesëmarrja e Zeçeviqit është vendim partiak. Kjo, sipas Sllavjanka Petrovskës, nuk nënkupton automatikisht koalicion të LSDM-së me Arsovskën.

“Secili formim i një partie politike në Maqedoninë e Veriut e cila bazohet në vlerat demokratike si diçka e përbashkët është për t’u përshëndetur. Pjesëmarrja në formimin e partisë politike nuk do të thotë automatikisht se do të bëhet koalicion ose se do të ketë ndonjë bashkëpunim por thjeshtë kjo është pjesë e kulturës politike të partive në Maqedoni”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes, LSDM.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se pjesëmarrja e sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së në aktivitetin partiak të Arsovskës e konfirmon bashkëpunimin e saj me LSDM-në.

“Nga të gjitha lajmet për formimin e partisë së Danela Arsovskës, lajmi kryesor kudo është prania e Mile Zeçeviqit, i cili është edhe krijuesi origjinal i asaj partie. Pra, mund të kuptohet se sa peshon ajo parti, kur lajmi kryesor për formimin e saj është prania e sekretarit të LSD-së. Është gjithashtu e qartë se Arsovska mund të bëhet kryetar partie vetëm me mashtrime. Koalicioni sekret LSD-Arsovska u bë publik”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Danella Arsovska një ditë më parë mori kryesimin e partisë Alternativa e Re. Ajo njoftoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit por është herët të flasë për koalicione të mundshme.

“Do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kemi shumë qytetarë tanë që na mbështesin, të cilët e dinë se për çfarë njerëzish bëhet fjalë dhe cilët janë njerëzit që mund të japin shumë për të ardhmen e vendit. Të gjithë e dini dhe e keni të qartë se të gjitha këto sulme vinë nga frika e madhe nga ana kundërshtare. Në qoftë se do të ishim të parëndësishëm, përse duhet të na sulmonin aq shumë?”, u shpreh Danella Arsovska, kryetare e Alternativës së Re.

Arsovska është kryetare e Qytetit të Shkupit nga zgjedhjet lokale të vitit 2021. Në pozitë erdhi me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së por më vonë, bashkëpunimi mes tyre u prish. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button