LajmeMaqedoni

LSDM dhe BDI nuk do t’i mbështesin ministrat e VMRO-së, nëse kjo e fundit nuk e voton qeverinë teknike

Kryeministri Dimitar Koveçevski konsideron se VMRO-DPMNE nuk do të ketë ministra në qeverinë teknike nëse nuk e voton. Ai thotë se askund në botë nuk ka shembull që një parti të marrë pjesë në qeverisje dhe të mos e mbështesë atë, domethënë të mos e votojë, transmeton Portalb.mk.

“Kur dikush merr pjesë në një qeveri, do të thotë se ajo qeveri duhet të mbështetet. Nëse nuk voton, mendoj se ato vende duhet të mbeten bosh. Mandati i ri duhet të propozojë një qeveri në të cilën pozitat e VMRO-DPMNE-së do të jenë të zbrazëta. Në momentin kur VMRO-DPMNE do ta mbështesë qeverinë, mandatari mund të propozojë që ata ministra të votohen”, tha kryeministri Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas shenjtërimit të ujërave të Vardarit.

VMRO-DPMNE njoftoi se do të propozojë personelin e saj për qeverinë teknike, por do të votojnë me përmbajtje, sepse nuk pajtohen që Talat Xhaferi të jetë kryeministër teknik.

TV Klan njoftoi se deputetët e BDI-së nuk do të mbështesin propozimet e VMRO DPMNE-së për ministra nëse opozita nuk voton për qeveri teknike dhe për Talat Xhaferin kryeministër teknik.

Javën e ardhshme Xhaferi duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në vend të tij të zgjidhet koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Qeveria teknike duhet të zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve, pra deri më 28 janar.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të jetë më 24 prill.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Show More

Related Articles

Back to top button