Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar fotografi të takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për “Planin e Rritjes” së Bashkimit Evropian që u mbajt në Shkup.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje.
“Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët.
Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje.
Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, shkruan Kurti.