LajmeMaqedoni

Reagimi i Ukrainës për rrëzimin e aeroplanit: Nuk kemi marrë asnjë kërkesë me shkrim apo verbale nga Rusia për sigurimin e hapësirës ajrore rreth Belgorodit

Zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov ka thënë për Radio Svoboda, se Ukraina nuk ka marrë asnjë kërkesë me shkrim e as verbale nga Rusia për të siguruar hapësirën ajrore rreth zonës së Belgorodit, ku u rrëzua një aeroplan transportues ushtarak rus.

Rusia njoftoi më parë se aeroplani ushtarak Ilyushin Il-76 transportonte 65 ushtarë ukrainas të zënë rob dhe akuzoi Kievin për rrëzimin e tij.

Ndërkaq Yusov tha se Kievi nuk ka prova të mjaftueshme për ta besuar këtë, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se dy aeroplanë të tjerë transportues ushtarakë rusë An-26 dhe An-72, ishin në hapësirën ajrore në të njëjtën kohë, raporton Reuters.

“Për fat të keq, ne mund të supozojmë skenarë të ndryshëm, duke përfshirë provokimin, si dhe përdorimin e të burgosurve ukrainas si mburoja njerëzore për të transportuar municione dhe armë”, tha ai.

Yusov përsëriti se aeroporti në Belgorod përdorej në mënyrë aktive nga Rusia për furnizime ushtarake.

Gjatë shkëmbimit të fundit të të burgosurve, kur u përdor transporti ajror, Rusia i kërkoi Ukrainës të sigurojë hapësirën ajrore, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ndodhi këtë herë. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button