Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023. Indeksi publikohet për 180 shtete të botës, duke përdorur një metodologji vlerësuese e cila është e bazuar në burime kredibile të institucioneve ndërkombëtare. Poentimi bazohet në vlerësim nga zero deri në 100 pikë – ku zero pikë paraqet nivelin më të lartë i korrupsionit, ndërsa 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion.
Instituti Demokratik i Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore.
“Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (në vendin e 63), dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108). Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
KDI thekson se progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve.
“CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë – përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet tutje në njoftim.
KDI shton se në përgjithësi, rezultatet e CPI 2023 tregojnë që shumica e vendeve të botës kanë bërë fare pak apo aspak progres në luftimin e korrupsionit në sektorin publik përgjatë dekadës së fundit.
“Për më tepër, mbi 2/3 e vendeve, përfshirë edhe Kosovën, vlerësohen me më pak se 50 pikë nga 100 pikët maksimale, indikator ky që tregon për prani serioze të problemeve me korrupsionin.
Madje, qytetarët e Kosovës bëjnë pjesë në 80%-shin e popullsisë botërore që jeton në një shtet që është nën mesataren globale prej 43 pikësh. Ekziston një trend global i dobësimit të sistemeve të drejtësisë, që ka reduktuar llogaridhënien e zyrtarëve publik, e për pasojë i ka mundësuar korrupsionit që të lulëzojë. Në mënyrë që të ndërpritet pandëshkueshmëria e korrupsionit, Transparency International vlerëson që qeveritë duhet t’i garantojnë pavarësinë, resurset dhe transparencën e nevojshme sistemeve të drejtësisë, në mënyrë që të gjitha rastet e korrupsionit të ndëshkohen dhe të garantohet kontrolli dhe balanci i pushteteve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/