Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë serbe mbrëmjen e së martës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm valuta euro të përdoret në Kosovë për operacione me para të gatshme, raportoi Tanjug.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Serbët në Kosovë e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se ai do të pamundësojë që ata të përdorin dinarin serb për të kryer pagesa me para të gatshme.
Në takimin që u mbajt në Presidencës serbe, Vuçiq dhe ministrat serbë kanë diskutuar për hapat e mëtejmë që do të ndërmarrë Beogradi lidhur me vendimin e BQK-së.
Më 29 janar, Vuçiq gjatë një takimi në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi anulimin e vendimit të BQK-së.
Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.