Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, sot ka folur për ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë, ku dje policia bëri kontrolle, ndërsa sot Prokuroria njoftoi për nisje të hetimeve ndaj dy ish-drejtorëve dhe tre mjekëve.
Mexhiti tha se hetimin ua ka lënë organeve kompetente dhe të shpallet me emër dhe mbiemër se kush është fajtor, ndërsa për funksionimin e Klinikës ai thotë se janë marrë masat e duhura dhe po funksionon në mënyrë të përkryer.
“Në lidhje me ngjarjen e djeshme, ju e dini qëndrimin tim. Jemi në dispozicion me informacion shtesë, nëse mendojnë se i ka Ministria e Shëndetësisë. Një herë e përgjithmonë, autoritetet duhet të bëjnë gjënë e duhur në kohë dhe të mos lënë asnjë rast të pazgjidhur”.
“Këtë e kam thënë kur e kam marrë mandatin, dhe tani e përsëris, me përgjegjësi, moralisht dhe profesionalisht, edhe si mjek, edhe si ministër, them se nuk do t’i lëmë më gjërat në shëndetësi të enden me vite të tëra probleme të pazgjidhura. Gjithçka do ta zgjidhim”, pohoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.