LajmeRajon

Hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, i jepet fund përdorimit të dinarit serb

Në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje. Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar. Duke komentuar vendimin e Kosovës për largimin nga përdorimi të dinarit serb, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër përpos që të luftojë në mënyrë politike dhe diplomatike për, siç u shpreh ai, mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Gjithçka tjetër, pos dialogut diplomatik dhe politik dhe zgjidhjeve përmes aktiviteteve të këtij lloji na çojnë drejt asaj që nuk do të donim të shihnim Nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se të luftojmë për mbijetesën e popullit tonë. Linjat tona të kuqe mbeten të njëjta dhe do të doja që asnjëherë të mos kalohen. Më mirë është të ketë bisedime, të kërkohet zgjidhje politike, se sa të përfshihet pjesa tjetër e shtetit në zgjidhjen e problemeve”, tha Millosh Vuçeviq, ministër serb i Mbrojtjes.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalen transferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera. Megjithatë, nga sot nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë. Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button