Ka filluar të stabilizohet situata me gripin stinor. Ambulancat kanë më pak pacientë, krahasuar me dy javët e fundit të dhjetorit dhe javët e para të muajit janar. Mjeku amë, Shpejtim Rexhepi thotë se në uljen e numrit të të prekurve me virus, mund të ketë ndikuar rritja e temperaturave.
“Gripi është duke u ulur ndoshta për shkak të temperaturave që kanë filluar të zbuten, pasi kishim edhe reshje të dëborës, ndoshta kjo ka ndihmuar. Pacientët ishin me simptome të gripit, si teshtitje, rrjedhje të hundëve, temperaturë të lehtë deri në 38 gradë Celsius, një dhimbje të nyjave, disa shkonin me komplikime të traktit të poshtëm respiratorë, por në përgjithësi këta ishin vetëm me simptome të traktit të sipërm respiratorë”, deklaroi Shpejtim Rexhepi, mjek amë.
Në Institutin e Shëndetit Publik, ende nuk është gati raporti për javën e fundit të janarit, por duke iu referuar raportit të parafundit, numri i të evidentuarve me grip dhe simptome të gripit ishte mbi 1600 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve në sezonin 2023- 2024 është 5 175 që është për mbi 22 për qind më shumë krahasuar me sezonin e kaluar. /Alsat.mk