LajmeMaqedoni

O në Gjermani, o në histeri, o në zgjuarsi…

“Fatkeqësia më e madhe, shkatërrimi më i madh, vjen atëherë kur, gjërat serioze, nuk merren seriozisht”, n’a rikujton diçka kjo thënie!

Një iluzion i paparë, por jo vetëm kaq! Sot, i madh e i vogël, tregon kureshtjen ndaj nevojës për me u larguar nga vendi, ndaj dëshirës apo domosdoshmërisë për me kërkuar një perspektivë më të mirë tjetërkund.

Një rrugë me dy binare paralele! “Kryesorja me u larguar nga këtu, nga vendi ynë”, dëgjojmë nganjëherë nga njeriu “i vendit”. “Në gjendjen ku jemi, e kam vështirë t’a imagjinojë kthimin në vendlindjen time” thotë “i huaji”, ai i cili një ditë u largua nga vendi i tij, me shpresën që një ditë të kthehet sërish aty!

Një problematikë që i prek gati se të gjitha horizontet e shoqërisë sonë të Maqedonisë së Veriut, të gjitha familjet tona, pa kursyer gati asnjë shtresë të popullsisë.

Nga vendi largohet rinia, largohet gjithë ajo armatë e njerëzve e cila me plotë arsye mund të cilësohet si shtylla kryesore që do të mund dhe do të duhej t’ia hapte vendit rrugën e perspektivave. Një fatkeqësi e madhe!

Ajo çka është më e keqja; në ditën e sotme, nuk janë vetëm faktorët ekskluzivisht ekonomikë ato të cilat ndikojnë në largimet nga vendi. Largohen edhe ata që ia dalin të sigurojnë një standard dinjitoz jetësor në vendin e tyre. Një indikator ky i cili tregon se revolta i ka zgjeruar horizontet e saj. Një gjendje vërtetë alarmante.

Krahas kësaj dukurie, dëgjohet një thënie e çuditshme “largimet nga vendi ndodhin për shkak trendëve aktuale, jetojmë në kohërat e globalizimit dhe është bërë normale që të ndodhin gjithë këto dyndje të popullsisë”. Gati se asgjë e vërtetë nga gjithë kjo, pasi që globalizimi kupton krejtësisht diçka tjetër.

E ndërkohë, kaluan mbi tre dekada të tëra, e u zgjodhën ministra, deputetë, drejtorë, shefa, ambasadorë, e shumë poste të tjera, me statuse për të cilat shpesh është shprehur lakmi me i pasur, në emër të origjinës e identitetit etnik, por sidomos edhe në emër të njëfarë politike dhe interesi partiak. Nuk mungoi gati asnjë nga postet e rëndësishme për me i shijuar nga protagonistët politikë.

Flitet për poste dhe për ambicie karrieriste, por realitetet dëshmojnë se këtij vendi nuk i mungojnë postet dhe llogaritë politike për poste, por i mungojnë llogaritë tjera për të cilat kanë realisht nevojë njerëzit e vendit.

Vendit i mungojnë angazhimet për me krijuar kushte dinjitoze në të, për me shmangur apo me reduktuar largimet e popullatës së saj, i mungojnë programet e mirëfillta ekonomike, politikat sociale, kushtet për mirëqenie, dhe shumë kushte të tjera, thjeshtë kushtet kryesore për me e shmangur nevojën dhe shijen për me u larguar nga vendi i vetë.

Vendit i mungojnë politikat efikase për luftimin e korrupsionit, të nepotizmit, të kriminalitetit, …dhe fundja edhe të luftimit të dallavereve politike që e kanë çuar vendin në greminë.

Vendi ka pra nevojë më tepër për diçka tjerë, se sa për poste e premtime, jo për punë sipas  temperamentit të së kaluarës, e me ideologjinë absurde për të ardhmen!

Duket se politika dhe njeriu i dëshpëruar që i përcjellë me vëmendje këto ngjarje nuk i ndjekin domosdo të njëjtat binare, pasi disa luftojnë për poste e për pushtet, e dikush tjetër lufton për mbijetesën apo për gjetjen e zgjidhjes për me u larguar nga vendi.

Mungon angazhimi dhe puna që duhet, dhe ajo që i nevojitet realisht vendit, ajo që i nevojitet qytetarit që është akoma në dilemë se a të largohet apo jo nga vendi, por pse jo edhe puna për me iu dhënë shpresë atyre që ndoshta do të dëshironin të kthehen sërish në vendin e vetë.

Edhe shtimi i numrit të partive nuk duket se hapë një shteg shpresash. Do të ishte ndryshe nëse shtimi i numrit të tyre do të interpretohej si një vlerë e shtuar e diversitetit. Por e gjithë kjo që vërejmë nuk mund të interpretohet kësisoj, pasi që indikatorë të shumtë dëshmojnë atë se numri i partive është ndërtuar mbi themelet e konflikteve dhe pazarllëqeve që nuk integrohen aq lehtë në regjistrin e vlerave të pluralizmit politik.

Iu afrohemi zgjedhjeve parlamentare. Intensifikohen aktivitetet dhe premtimet tashmë tradicionale. Programe dhe strategji politike – të cilat iu përngjajnë aq shumë atyre të së kaluarës – duket se synojnë ambicie të larta, bile akoma më tepër se sa ato që shpaloseshin gjatë fushatave të zgjedhjeve të kaluara!

“Zotimet për premtimet e politikanëve i marrin vetëm ata që i pranojnë”, thoshte politikani francez Charles Pasqua.

Edhe në këto zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni të Veriut, do të shfaqen sërish premtime të mëdha të politikanëve, kurse do të ndodhë sërish sipas të gjitha gjasave që zotimet të merren vetëm nga ata që i pranojnë, që votojnë, por do të ishte mirë që këto të fundit të zgjedhin në mes të “…O në Gjermani, o në histeri, o në zgjuarsi…”.

Shkruan: Lirim Begzati – Ekspert juridik në Zvicër

Show More

Related Articles

Back to top button