Kuvendi mbrëmë me 62 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” i shkarkoi ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare. Të hënën do të bëhet zgjedhja e ministrave të rinj.
Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit sot duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.
“Aspak nuk bëhet fjalë për profesionalizimin e tyre për të cilin kam respekt të jashtëzakonshëm”, tha Xhaferi.
Për ministër të ri të Shëndetësisë është propozuar drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Ilir Demiri, ndërsa për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Naim Bajrami.
Para votimit sonte ka folur ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu, i cili ka paraqitur shumë informacione për pengesat që ka pasur, siç tha ai, nga ana e BDI-së, por edhe për atë që ka ndodhur javën e kaluar pas publikimit të informacionit se Aleanca për Shqiptarët do të mbështesë opozitën.
Ne, theksoi Aliu, që kur kemi hyrë në Qeveri kemi thënë se do të jemi opozitë në Qeveri dhe jemi krenarë për këtë.
Ai e akuzoi ministrin e Sistemit Politik nga radhët e BDI-së, Artan Grubi se i ka sjellë vendimet për shkarkimin e kuadrove të Aleancës për Shqiptarët të cilët nuk e mbështetën BDI-në.
“Më 5 shkurt 2024, e dini cili ka qenë vendimi i parë i Artan Grubit? – Shkarkimi i njerëzve nga Aleanca për Shqiptarët. Në të njëjtën ditë ata filluan të shkarkonin anëtarët e ASH-së ku ishin të punësuar. Të martën shkojmë në Qeveri, kryeministri hyn, Artan Grubi është ulur në të majtë dhe shohim që janë në rend dite edhe dy drejtorë nga ASH dhe pastaj sot jemi e premte dhe jemi këtu për shkarkimin e dy ministrave”, tha Aliu.
Deri dje, tha Aliu, flitej se BDI-ja i kontrollon partitë shqiptare, por sot shihet se BDI-ja i kontrollon dhe ata haptas vendosin se kush do të jetë ministër në një parti tjetër, por ky është puç.
Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi i replikoi Aliut, por edhe deputetit Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE duke thënë se i vjen keq që opozita largohet nga salla dhe se gjithashtu beson se edhe më 8 maj do të ikin.
“VMRO-DPMNE-ja e realizon planin për përçarje. Ata flasin për spam, e-mail, follder, akaunt, ndërsa hard disku i tyre ka kohë që është djegur”, tha Ademi.
Për VMRO-DPMNE-në opozitare është e qartë se shkarkimi i ministrave bëhet me udhëzim të BDI-së, ndërkaq nga LSDM thonë se partia opozitare nuk ka votuar për ministrat e saja, për atë nuk kanë kredibilitet të komentojnë për shkarkimin.
Më herët, Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dha shpjegim para deputetëve për shkarkimin e tij.
Ai akuzoi BDI-në për sjellje destruktive dhe se avokon partishmërinë, në kurriz të interesave të qytetarëve.
“Ka 11 muaj që si ministër kam treguar se si po bëhen punët, nuk kam ikur nga problemet por kam hyrë në zjarr për të zgjidhur çështjet që të gjithë para meje kanë ikur dhe i kanë futur në tapet. Më vjen keq që doli që jo të gjithë kanë të njëjtin synim si unë në këtë qeveri. Doli se BDI-ja përmes ministrave të saj vendosi të politizojë dhe pengojë dhe të shkojë kundër interesave të qytetarëve. Mendoj se politika është mjet për të ndihmuar qytetarët, ata mendojnë se politika është mjet për realizimin e interesave personale”, tha Mexhiti. Portalb