Sot u promovuan punimet për qarkoren e shumëpërfolur dhe të premtuar të Tetovës në nyjën në fshatin Trebosh që del në fshatin Neproshten. Nëse punimet zhvillohen në afatin e paraparë, rruga do të jetë gati në maj të vitit 2025.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi theksoi se afati i punimeve është 15 muaj dhe se qarkorja në maj të vitit 2025 do jetë e lëshuar në përdorim.
“Do të ndërtojmë 5.4 kilometra rrugë me gjerësi prej 6.6 metra, gjithashtu për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës do të kemi rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra”, tha Rustemi.
Kryeministri teknik i vendit, Talat Xhaferi theksoi se me qarkoren nga rrugët e zonës qendrore të qytetit do largohen kamionët, automjetet e rënda të mallrave, transportuesit, të cilët do të kenë mundësi të lëvizin në një rrugë moderne dhe të sigurt.
“Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në vlerë mbi 2.2 milionë euro”, tha Xhaferi.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski theksoi se me këtë rrugë do të zhvillohet rrjeti rrugor dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve që gravitojnë në këtë rrethinë
“Ndërtimi i kësaj qarkoreje është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të lehtësojë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit”, Boçvarski.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunoc të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale. / Portalb