Opozita shqiptare bën të ditur se gjatë orëve të ardhshme pritet të shpallin emrin e kandidatit për president që do të garojë për zgjedhjet presidenciale.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami theksoi për Click Plus në TV21 se në këto zgjedhje do të garojnë me një kandidat me përgjegjësi politike.
“Shumë shpejt, shumë shpejt, ditët në vijim, ndoshta edhe nesër, nëse jo, pasnesër, ne do të kemi edhe vednimin edhe kush do të jetë kandidat për president. Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Afrimi. Sigurisht pra, ne kemi folur edhe për kandidat jopolitik, do të thotë nga shoqëria civile, kemi dalur edhe më kështu kombinime, e di opinioni me z.Blerim Reka, por tani e vlerësuam se për shkak të specifikës dhe kompleksitetit politik, në këto zgjedhje ne duhet të garojmë me një kandidat me përgjegjësi politike”, tha Kasami në Click Plus.
Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski sot do t’i shpallë zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më 24 prill (raundi i parë), ndërsa për momentin janë duke u konsultuar me shërbimet parlamentare nëse ato do të shpallen në në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj.
“Në Kushtetutë shkruhet nga 70 deri në 90 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve. Në fakt raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është 24 prilli, pra 70 ditë më parë është 14 shkurt dhe më pas do të shpallen zgjedhjet presidenciale. Nuk kam marrë ende një vendim nëse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të shpallen në të njëjtën ditë. Jam duke bërë disa konsultime me shërbimet në Kuvend. Nëse nuk ka pengesë, pse të mos e bëjë atë në të njëjtën ditë, tha Mitreski në një intervistë për MIA-n.
Sipas njoftimeve të kryeparlamentarit, fushata zgjedhore duhet të fillojë në fillim të muajit prill, ndërsa Kuvendi në përbërjen aktuale politike duhet të funksionojë deri në fund të marsit ose në fillim të prillit.(INA)