
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka propozuar alternativa për transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme. Përmes një njoftimi, Oda tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që hyri në fuqi më 1 shkurt dhe që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave, ka nevojë të rishikohet dhe qartësohet. Sipas këtij institucioni “është thelbësore të thuhet se përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok”. Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin serb, duke argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa informimin e duhur të qytetarëve. /Alsat.mk