Kryetari i ASH-së, Arben Taravari tha se gjatë takimit të përbashkët që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është shqyrtuar ideja që në Maqedoninë e Veriut të ketë një kandidat shqiptar për president, i cili do të gëzonte mbështetjen e të gjitha partive politike shqiptare në RMV. Taravari tha se ka tentuar që ta realizojë këtë ide, por që ka qenë mision i pamundur.
“Kemi biseduar edhe me kryeministrin Kurti edhe me kryeministrin Rama, eventualisht për të pasur një kandidat i pavarur i cili do të përkrahej prej të gjitha partive politike shqiptare, por tentova realisht, por ishte mision i pamundur, s’mundeshte të bëhet kjo”, theksoi Taravari në Click Plus.
Taravari në Click Plus në TV21 tha se Rama dhe Kurti mund të kenë shumë dallime, por që pikë të përbashkët e kanë qëndrimin për Maqedoninë e Veriut.
“Është e pamundur që Shqipëria dhe Kosova mos të kenë ndikim, por fatmirësisht unë jam shumë i lumtur që në takimin që e kisha me z. Rama dhe Kurti në Shkup, ato për Maqedoninë janë në një vijë të përbashkët, mund të dallojnë në shumë gjëra mes vete, por për Maqedoninë janë me qëndrime identike. 1. Se duhet Maqedoni stabile, shumë me rëndësi edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën 2. Shqiptarët si çdo herë duhet ta ndihmojnë rrugën europiane të Maqedonisë. Jo që nuk dallojnë, por janë insistues njësoj, se duhet…edhe z. Rama e tha të njëjtën edhe z.Kurti, ndihmën më të madhe që mund t’i bëni Maqedonisë, është që të kemi shtet stabil dhe që të fillojmë negociata. Z. Rama është insistues dhe lobues i madh për Maqedoninë”, deklaroi Taravari në TV21.