Nga orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë në qendrat rajonale të KSHZ-së në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Çashkë dhe anembanë vendit kanë vendosur nënshkrimin e tyre në përkrahje të kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim për President , Bujar Osmani.
Bashkimi Demokratik për Integrim falënderon të gjithë ata që deri më tani kanë shprehur vullnetin e tyre të palëkundur për t’u rreshtuar pas vizionit tonë të dëshmuar të arritjeve të mëdha.
Konfirmimi i kandidaturës së Bujar Osmanit përmes këtij grumbullimi masiv të nënshkrimeve që padyshim se do të tejkalojë numrin prej 10.000 nënshkrimeve dëshmon pastërtinë dhe drejtësinë e ideve tona progresive.
Ashtu siç realizuam premtimin për Kryeministrin e parë shqiptar dhe të gjitha zotimet e faktorizimit tonë kombëtar në këto dy dekadat e fundit, do të bëjmë realitet edhe kauzën e Presidentit të parë shqiptar duke trasur fillimisht rrugën për realizimin e sigurt të këtij vizioni.
Kandidatura e Bujar Osmanit nuk është vetëm akt formal zgjedhor, por një mision i ri madhor, një betejë për të thyer tabunë e rradhës përmes zgjedhjes së Presidentit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit.
Këtë betejë ashtu si gjithë të tjerat do ta bëjmë bashkë dhe padyshim se do të ngadhënjejmë në qëllimin tonë të pastër,thuhet në komunikatën e BDI-së.