Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor deri të shtunën, 14 360 qytetarë kanë dhënë nënshkrim për kandidatët për president. Mirëpo asnjëri prej kandidatëve, ende nuk i ka grumbulluar 10 000 nënshkrimet e nevojshme.
Më shumë nënshkrime deri tani ka grumbulluar Bujar Osmani, kandidati i BDI-së, 5 405. Të premten zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi, tha se nënshkrimet për Osmanin do t’i grumbullojnë për dy ditë. Pas Osmanit, radhitet kryetari i partisë ZNAM Maksim Dimitrievski 3 613 nënshkrime dhe kandidatja e Levicës Biljana Vankovska Cvetkovska e cila ka mbledhë 2 758 nënshkrime. Rreth 2 000 nënshkrime mblodhi kandidati i partisë GROM, Stevço Jakimovski.
Në garën për president janë gjithsej 13 kandidatë, por gjithë të tjerët kanë mbledhur më pak se 1 000 nënshkrime.
Kandidati i opozitës shqiptare Arben Taravari, ka 246 nënshkrime dhe vetëm tre më shumë ka kandidati i pavarur Velo Markovski, 249.
Kurse kandidatët e LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe VMRO-së, Gordana Siljanovska do të shkojnë me mbledhje të nënshkrimeve të 30 deputetëve. Gjegjësisht, sipas rregullores së KSHZ-së, kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.
KSHZ ka bërë me dije se deri sa zgjat mbledhja e nënshkrimeve, një herë në ditë do të njoftoj për numrin e nënshkrimeve të mbledhura për çdo ditë.
Procedura e mbledhjes së nënshkrimeve, e cila ka filluar të premten do të zgjas pa ndërprerë deri më 8 maj, në orën 24:00. Grumbullimi i nënshkrimeve bëhet në të gjitha njësitë rajonale dhe zyrat e KSHZ-së, të vendosura në 34 vetëqeverisjet lokale dhe para noterëve kompetent.\Shenja\