Nesër, më 28 shkurt, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), do të fillojë inspektimi publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe kuvendare.
Siç u tha në seancën e sotme të KSHZ-së, këqyrja e Listës zgjedhore do të zgjasë deri më 18 mars, ndërsa përveç drejtorive dhe zyrave rajonale, mund të bëhet edhe përmes ueb-faqes https://izbirackispisok.gov.mk/.
Në drejtoritë rajonale do të mundësohet kërkesa me shkrim për regjistrim, shtim apo fshirje të të dhënave të qytetarëve në Listën Zgjedhore.
Sipas Rregullores së Punës dhe Kodit Zgjedhor, Lista Zgjedhore që do të shkojë në zgjedhje përmbyllet dhe nënshkruhet jo më vonë se 15 ditë para zgjedhjeve.
“Në interes të transparencës së procesit zgjedhor, apelojmë qytetarët që të përdorin të drejtën dhe të kontrollojnë të dhënat e tyre. Sipas Rregullores dhe Kodit Zgjedhor, të dhënat për Listën Zgjedhore janë dorëzuar për inspektim që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, 14 shkurt dhe pas inspektimit publik, nëse ka kërkesa të bazuara për disa ndryshime, KSHZ-ja do të veprojë në përputhje me rrethanat”, deklaroi anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Ai përkujtoi se adresat e drejtorive dhe zyrave rajonale janë të shënuara në ueb faqen e KSHZ-së dhe se pothuajse të gjitha janë të vendosura në selitë e pushteteve lokale të komunave./Telegrafi/