Gjykata Kushtetuese anuloi sot Udhëzimin për mbajtjen e librave amzë, që parashikonte që në çertifikatat e qytetarëve të shkruhet edhe kombësia (nacionaliteti).
Nisma për anulimin e këtij udhëzimi ishte bërë nga partia E Majta (Levica). Me anulimin e tij, qytetarët nuk do të duhet të deklarohen se si ndihen, pra në dokumentet nga Librat Amë nuk do të thuhet se çfarë kombësie i përkasin.
Direktiva për mbajtjen e librave amë, e cila parashikonte shprehjen e kombësisë gjatë nxjerrjes së dokumenteve është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, në fund të majit 2023.
Ministria e Drejtësisë tha se me këtë udhëzim do ti jepej fund problemit të deklarimeve të rreme të përkatësisë etnike, gjatë punësimit dhe keqpërdorimit të balancuesit për përfaqësim të drejtë etnik në institucione të caktuara. Qindra qytetarë maqedonas duke u deklaruar si shqiptarë, turq, rom dhe komunitete tjera kanë përfituar punësimet përmes konkurseve të hapura ku kërkohej punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve tjera jomaqedonas. (INA)