Deputeti i BDI-së Arbër Ademi, sot ishte pjesë e protestës së profesorëve të Universitetit të Tetovës, të cilët kërkojnë marrëveshje të re kolektive me këtë edhe rritje të pagave.
Ademi tha se BDI do të propozojë ligj të ri, i cili siç tha, parasheh rritje të rrogave edhe për të punësuarit në Universitetin e Tetovës. Ademi tha se për momentin nuk mund të nënshkruhet marrëveshje kolektive pasi janë shpallur zgjedhjet.
“Sot në mëngjes kemi dorëzuar propozim-ligj për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë, me të cilin do të kemi unifikim të pagave në universitetet publike. Pengesa e vetme është se këtë moment janë shpallur zgjedhjet dhe kryetari i Kuvendit nuk mund të nënshkruajë marrëveshje kolektive. Shpresoj që ditët e ardhshme të kemi seancë të posaçme dhe të procedojmë me ligjin më tej. Iu kam bërë thirrje të gjitha partive politike që ta përkrahin këtë ligj”, tha mes tjerash Ademi.
Në lidhje me rritjen e pagave vetëm në Universitetin “Kirili dhe Metodi”, Ademi tha se UKM-ja ka negociuar dhe dorëzuar marrëveshje kolektive që në vitin 2022.
“Universitetet tjera u vonuan me dokumentet për të realizuar marrëveshje kolektive. Nuk duhet të lejojmë diskriminimin e universiteteve publike dhe duhet t’i ndihmojmë të zhvillohen”, tha Ademi./Telegrafi/