Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin për Demokraci në Kopenhagë tha se Serbia po ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit, në mënyrë që, vëmendja të shpërqendrohet nga lufta që Moska nisi më 2022 kundër Ukrainës, dhe të hapë “një front të ri kundër Perëndimit”. Gjatë samitit, Osmani tha se Kosova ka rritur bashkëpunimin me aleatët e saj për të zmbrapsur çdo qëllim destabilizues në kufirin verior, duke iu referuar kufirit me Serbinë. Osmani u shpreh se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.
“Së fundmi, Serbia e ka dëshmuar se është shumë besnike ndaj Rusisë dhe përpiqet të luajë me lojërat e Putinit, për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit. Sepse, qartësisht, ky efekt shpërndarës, i sjell Rusisë atë çfarë është shumë e nevojshme për ta, shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina”, deklaroi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës. /Alsat.mk