Nga Fronti Europian kanë reaguar pas deklaratave të fundit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në lidhje me projektin e Korridorit 8, përcjell TV21. Nga Fronti thonë se kontrata me Bechtel & Enka është e nënshkruar sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe se nuk mund të anulohet në asnjë mënyrë.
“Asnjë Qeveri nuk mund ta anulojë kontratën me konzorciumin Bechtel & Enka. Vlerësojmë se ky qëndrim është tentativë për minimizimin e punës së madhe dhe projektit më të madh në historinë e vendit që deri më tani Qeveria progresive dhe proeuropiane e ka realizuar duke е futur në binarët e realizimit projektin e lënë me qëllim në labirintet e harresës. Pyesim publikisht, a është ky qëndrim edhe i opozitës shqiptare humbëse e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale “Vlen” kundër Korridorit 8?! Deri më tani, në këto pak ditë, u quajtëm “makedonski albanci”, u tha që s’ka ndryshime kushtetuese, që s’ka perspektivë europiane, që suspendohet marrëveshja e Ohrit dhe që opozita humbëse e zgjedhjeve s’ka asnjë kusht të vetëm për formimin e Qeverisë së ardhshme. A i ndajnë këto qëndrime edhe drejtuesit e opozitës shqiptare?”, thuhet mes tjerash në reagimin e Frontit Europian.