LajmeMaqedoni

NATO siguri për shqiptarët, por jo për maqedonasit

Katër vjet pas hyrjes së Maqedonisë në NATO, qytetarët besojnë se anëtarësimi në Aleancës Veriatlantike ka qenë një vendim i mirë që ka rritur sigurinë e vendit, ndonëse nuk ka ndikuar si duhet në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas një ankete të realizuar për hulumtime politike më shumë se gjysma e të anketuarve (61 për qind) janë të mendimit se nga këndvështrim i sotëm anëtarësimi ka qenë një vendim i duhur, ndërsa pjesa tjetër mendon të kundërtën. Perceptimin se anëtarësimi në NATO e ka bërë Maqedoninë e Veriut një vend më të sigurt e krijojnë shqiptarët, të cilët mbi 82 për qind janë të bindur, ndërsa maqedonasit nuk mendojnë kështu, 43, 7 për qind e të anketuarve maqedonas janë të mendimit se Nato nuk na bën një vend më të sigurt.
“Edhe pse vërehet rritje e vazhdueshme, në 5 vitet e fundit nuk ka pasur rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve që besojnë se Maqedonia është bërë vend më i sigurt pas anëtarësimit në NATO. Nga 50.5 për qind në vitin 2019, kjo përqindje e qytetarëve është rritur në 52.6 për qind. Ndërsa 36,8 për qind nuk janë të bindur për këtë. Mendimi se NATO na e bën vendin më të sigurt është krijuar kryesisht nga shqiptarët etnikë”, thuhet në anketim.

Gjithsej 57.2 për qind e të anketuarve janë të mendimit se anëtarësimi në NATO kontribuon që vendi të jetë më i sigurt nga ndikimet e jashtme, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë, ndërsa 34.5 për qind mendojnë se nuk është kështu.
Më shumë se gjysma ose 56.3 për qind e qytetarëve janë të mendimit se anëtarësimi në NATO nuk e ka përshpejtuar procesin e integrimit evropian, ndërsa 33 për qind janë të bindur se ka kontribuar në përshpejtimin e tij. Krahasimi me sondazhet e pesë viteve të fundit praktikisht nuk tregon ndonjë ndryshim. Gjithsej 54.8 për qind e qytetarëve mendojnë se Maqedonia në të ardhmen duhet të ndajë më shumë para nga buxheti për mbrojtjen e saj, ndërsa 33.3 për qind nuk mendojnë kështu.

Qytetarët janë të mendimit se Maqedonia ka bërë mjaft në formë të ndihmës për Ukrainën. Këtë qëndrim e kanë 55.2 për qind e të anketuarve, ndërsa vetëm 15 për qind besojnë se mund të kishim ndihmuar më shumë. Për këtë çështje, ka qëndrime pothuajse identike te maqedonasit dhe shqiptarët etnikë, të cilët mbi 50 për qind besojnë se kemi ndihmuar mjaftueshëm, me dallimin se përqindja e shqiptarëve etnikë që besojnë se mund të kishim ndihmuar më shumë është dy herë më e lartë se atë të maqedonasve.

Vetëm 36.2 për qind e qytetarëve janë dakord me ndihmën në armë dhe pajisje që Maqedonia i dërgon Ukrainës, ndërsa 52.8 për qind nuk pajtohen. Anketa është realizuar në një kampion përfaqësues prej 1079 të anketuarve në periudhën prej 16 deri më 20 prill të këtij viti. \Koha\

Show More

Related Articles

Back to top button