Tetovë, 20 korrik – Ministria e Arsimit dhe Shkencës ia merr ingerencat Komunës së Tetovës për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, pasi edhe përkundër masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nuk e ka siguruar kryerjen e punëve që i përcakton ligji si kompetencë e tij.
MASH përmes kumtesës për media, njofton se më 8 korrik Inspektorati Shtetëror i Arsimit e njoftoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se me iniciativë të drejtorit të shkarkuar të shkollës është kryer inspektim i jashtëzakonshëm në SHMKGJ “Kirill Pejçinoviq” në Komunën e Tetovës ku, siç shtohet, është konstatuar se Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkarkuar drejtorin pa procedurë të zhvilluar paraprake në përputhje me ligjin dhe ka emëruar ushtrues detyre.
Inspektorati, shtohet më tej, e njoftoi kryetarin e komunës për procedurën e kundërligjshme.
“Në përputhje me ligjin, Inspektorati kreu inspektim kontrollues, për të konstatuar nëse kryetari i Komunës së Tetovës ka vepruar sipas Udhëzimit. Është konstatuar se Aktvendimi për shkarkimin e drejtorit ende nuk është anuluar, ndërsa funksionin ushtrues detyre ende e ushtron drejtori i ri i emëruar”, thuhet në kumtesën e MASH-it.
Ingerencat për emërim dhe shkarkim, potencon MASH, në pajtim me Ligjin i merr Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në emër dhe llogari të komunës në kohëzgjatje prej 12 muajve.