LajmeRajon

Të lindurit nga përdhunimet gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë marrin statusin e viktimave civile

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës në Qarkun e Bërçkos – njësi kjo e posaçme administrative e këtij vendi.

Është hera e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë që Qeveria pranoi se kjo kategori duhet të jetë “e dukshme”.

Asambleja e Qarkut të Bërçkos, më 15 korrik, mori vendimin që t’i përfshijë fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Ligjin për viktimat civile të luftës. Për këtë ligj është pritur dhjetë vjet.

“Jemi të lumtur që Qeveria e pranoi këtë nismë dhe që, në më pak se gjashtë muaj, u hartua udhëzimi dhe u miratua ligji”, tha kreu i Departamentit të shëndetësisë dhe shërbimeve lokale në Qeverinë e Qarkut Bërçko, Sead Shadiq.

Karim Khan, prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përgëzoi Asamblenë e Bërçkos dhe organizatat joqeveritare që morën pjesë në propozimin dhe krijimin e zgjidhjes ligjore.

“Këtyre fëmijëve do t’u kushtohet vëmendje e veçantë nga zyra ime, në hetime dhe ndjekje penale”, shkroi Khan në Twitter.

Në pjesën tjetër të këtij vendi, në entitetin e Republika Sërpskës dhe në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht në dhjetë kantone të kësaj federate, fëmijët e lindur pas përdhunimeve gjatë luftës, nuk e kanë statusin e viktimave civile të luftës.

Show More

Related Articles

Back to top button