LajmeMaqedoni

Sindikatat në RMV: Të rritet paga minimale

Sindikatat do t’i dorëzojnë kërkesat e tyre qeverisë së re si rritje e pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe pagë minimale prej të paktën 450 euro në 100 ditët e para.

Sindikatat do t’i dorëzojnë kërkesat e tyre qeverisë së re si, rritja e pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe pagë minimale prej të paktën 450 euro në 100 ditët e para. Kërkesat e tyre i ka shpalosur edhe biznesi që kërkon pjesëmarrje konkrete në krijimin e politikave ekonomike.

Sindikatat kërkojnë edhe pagesën e shpenzimeve të ushqimit në masën 20 për qind të pagës mesatare dhe pagesën e shpenzimeve të transportit. Sindikatat këto kërkesa i mbështesin në faktin se as dy paga minimale nuk përmbushin shportën konsumatore, prej gati 1000 euro. Kreu i Sindikatave, Sllobodan Trendafillov thekson se me formimin e qeverisë së re, do të kërkojnë menjëherë mbledhje për të negociuar rritjen e re të pagës minimale. Presim që liderët e ardhshëm të shtetit me rebalancin e paralajmëruar të sigurojnë para ashtu siç parashikonin për paga më të larta zyrtare, por edhe për apanazhet e paralajmëruara që do të marrin disa prej zyrtarëve për një vit.

Në shpalljen e 1 Majit të Lidhjes së Sindikatave, theksohet se në 30 vitet e fundit është prishur ekuilibri mes interesave të Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve. Prandaj, kërkohet një reagim si nga Qeveria e ardhshme ashtu edhe nga punëdhënësit përmes dialogut social dhe negociatave kolektive për të përcaktuar prioritetet, për të ndërtuar marrëdhënie reciproke besimi në respektimin e standardeve ndërkombëtare të punës.

Krahas kërkesave në lidhje me rritjen e pagave minimale dhe të tjera si dhe shtesat e pagave në seksionin e ushqimit dhe transportit, lypset edhe kufizimi i punës në një kohë të caktuar, e drejta për një të shtunë jo pune dhe rritje e kontrollit të punës jashtë orarit, ulje e punës me kohë të plotë deri në 35 orë punë në javë, heqja e javës 72-orëshe të punës për punë në projekte strategjike, shtimi i pushimit të lehonisë, të drejta më të mëdha prindërore dhe më shumë të drejta dhe fleksibilitet për të përshtatur rastet familjare dhe nevojat e punëtorëve me nevojat e procesit të punës.

Nga ana tjetër, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski thotë se do të kërkojnë pjesëmarrje në krijimin e ligjeve që synojnë ekonominë. Ata do të propozojnë që ENER – faqja e specializuar për publikimin e projektligjeve, të ndahet në dy pjesë, njëra për vërejtjet e personave fizik dhe tjetra për komunitetin e biznesit. Azeski thekson se do të iniciojnë formimin e një komisioni joformal për sipërmarrës në Kuvend dhe do të kërkojnë nga presidenti i shtetit që para nënshkrimit të ligjeve të gjejë një mënyrë për t’u konsultuar me biznesmenët.

“Kur flas për absurditetet, më lejoni të them edhe se ne kemi 14 institucione në sektorin publik që nuk kanë punonjës, por kanë një drejtor. Përveç tyre, janë edhe 14 institucione të tjera që kanë vetëm një punonjës. Kjo jo vetëm që është e paarsyeshme, por edhe minon efikasitetin dhe funksionalitetin e sektorit publik. Absurditete të tilla duhet të eliminohen për të arritur ndryshim dhe përparim real në shoqërinë tonë. Dhe absurdi më i madh, armiku më i madh për administratën publike është biznesi, dhe është biznesi ai që paguan rrogat e administratës publike përmes taksave. Ndaj, vendosmëria e qeverisë së re për të mbështetur fuqishëm biznesin duhet të pasohet nga veprime të fuqishme në të gjithë infrastrukturën sociale për të eliminuar absurditetet. Që kjo të mos jetë demagogji, biznesi më i madh në vend është gati për negociata me Qeverinë e re – nëse i vjen një ofertë e pranueshme, të angazhohet publikisht se sa vende të reja pune do të hapë dhe sa investime do të prodhojë gjatë periudhën në të cilën do të mbështetet. Prandaj mendojmë se është një marrëdhënie e drejtë dhe përfaqëson një qasje të re në bashkëpunimin mes sektorit publik dhe privat”, ka deklaruar Azeski.(koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button