Profesionistët e shkencave kompjuterike mbeten më të paguarit në Maqedoni. Edhe të dhënat më të reja të Entit të Statistikës konfirmojnë se programuesit me një pagë mesatare prej mbi 1500 euro apo 95.660 denarë kryesojnë listën e pagave të më të larta në shtet. Bile pagat e tyre janë edhe dy herë më të larta se paga mesatare që në Maqedoni arriti në 41.252 denarë në muajin maj apo pak më pak se 700 euro.
Ndër top pesëshin e të ardhurave më të larta renditen edhe telekomunikacioni me 63.879 den dhe hulumtimi dhe zhvillim shkencor me 63.074 denarë. Paga të larta dhe tej mesatares marrin edhe të punësuarit në veprimtari të tjera profesionale, shkencore dhe teknike me 62.612 denarë dhe të punësuarit në prodhimtarinë e produkteve farmaceutike bazë dhe preparateve farmaceutike me 61.628 denarë .
Për dallim nga top pesëshja e e pagave më të larta, në Maqedoni ende ka punëtorë me të ardhura tejet të ulëta. Pagat e tyre jo që nuk arrijnë mesataren në vend, por janë pak më të larta se paga minimale prej 22.500 denarë.
Pagat më të ulëta i pranojnë të punësuarit në veprimtaritë mbrojtëse dhe hetimore që kanë të ardhura edhe më të vogla se ajo minimale me 22.128 denarë. Pasojnë shërbimet që lidhen me mirëmbajtjen e ndërtesave dhe aktivitetet e rregullimit dhe mirëmbajtjes së mjedisit dhe natyrës me 26 448 denarë, dhe peshkimi dhe akuakultura me 26.444 denarë.
Ndër profesionet më pak të paguara në vend me vite renditet prodhimtaria e lëkurës dhe produkteve të ngjashme prej lëkure me 26 820 dhe prodhimtaria e veshjeve me 27,726 denarë.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuar në maj të këtij viti është 41.252 denarë dhe është 13,1 për qind më e lartë se në muajin maj 2023.
Një pjesë e ekonomistëve me vite kërkojnë që statistikat shtetërore të llogarisin përskaj pagës mesatare edhe të ashtuquajturën pagë “mediale” që merr parasysh jo vetëm të ardhurat e punëtorëve, por edhe përqindjen e punonjësve që marrin një shumë të caktuar. Vlerësohet se paga mesatare nuk pasqyron realisht standardin jetësor dhe të ardhurat reale të çdo punonjësi , andaj sugjerohet që të shikohet se cila është ajo pagë qe merr punonjësi ku 50 për qind marrin më pak dhe 50 për qind marrin më shumë.
Paga mediale , sipas ekspertëve do të jepte një pasqyrë më të qartë të standardit tonë, llogaritet po aq lehtë sa mesatarja. Këtu merret parasysh edhe shuma e pagave, por edhe përqindja e të punësuarve, pra kush sa paga merr. Duke vepruar kështu, përcaktohet një pesëdhjetë për qind, si pikë nën dhe mbi të cilën merret një shumë e caktuar pagash.
Sa për ilustrim apo shembull, paga mesatare neto e personave juridikë në Kroaci për muajin mars ishte 1326 euro, që është nominalisht më e lartë për 17.3 për qind, dhe reale për 12.7 për qind, krahasuar me marsin 2023. Sipas raportit të statistikave, paga mediale neto për një punonjës ishte 1086 euro, që do të thotë se gjysma e të punësuarve kishin më pak, ndërsa gjysma tjetër më shumë se kaq.
Duke qenë se paga mediale neto për një muaj është më e vogël se paga mesatare neto (për 240 euro), kjo do të thotë se shumica e qytetarëve kishin paga nën mesataren e shtetit. /Koha/