LajmeMaqedoni

Maqedonia lindore përfshihet nga flakët, regjistrohet dhe viktima e parë

Një pjesë e madhe e Maqedonisë lindore është përfshirë nga flakët, të cilat një ditë më parë shkaktuan edhe viktimën e parë, një banor të fshatit Kokoshinjë, në rajonin e Kumanovës.

Viktima ndërroi jetë si pasojë e asfiksimit, tymit të thithur nga zjarri që përfshiu fshatin. Flakët kishin ardhur deri në vendbanimin e tij. Ky nuk është vendbanimi i vetëm, pasi dhjetëra të tjerë janë përfshirë nga zjarret këto ditë, duke lënë pas edhe disa shtëpi të djegura.

Gjatë evakuimit, kishte raste kur banorët refuzonin t’i braktisnin shtëpitë e tyre.

Nga Qendra Për Menaxhim me Krizat thonë se gjatë ditës së djeshme 20 zjarre u aktivizuan pothuajse njëkohësisht, ndërsa era e fortë i nxiste më shumë gjuhët e flakëve, dhe pengonte përpjekjet për vendosjen e tyre në kontroll.

“Era na bën probleme shtesë, dhe për fat të keq paralajmërimet janë se ajo do të vazhdojë të fryjë edhe më tej. Vegjetacioni i thatë, temperaturat e larta, do të kontribuojnë në paraqitjen e zjarreve të reja… Disa zjarre janë ndezur qëllimisht, por dje detektuam edhe paraqitje të zjarreve nga shkëndijat e telave elektrik, ne do të kërkojmë përsëri nga EVN të bëjnë kontrolle… Në këtë moment nuk kemi dëshmi, por ministria e Brendshme punon në terren dhe pres që ekipet hetuese të MPB-së të dalin me të dhëna konkrete, përse u shkaktuan zjarret e djeshme, që shpërthyen diku prej orës 11:00 deri në orën 14:30 minuta”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i QMK-së.

Angellov bën thirrje për kujdes të shtuar. Ai thotë se vënia e zjarreve të qëllimshme mund të konsiderohet si tentim për vrasje.

“U bëj thirrje bujqve, të ndalojnë me ndezjen hamullave. Ndezjen e hamullave duhet ta konsiderojnë si tentim për vrasje… Ndezja e kullosave nga ana e barinjve, po ashtu, duhet të konsiderohet si tentim për vrasje… U bëj thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm. Puna me mjete që lëshojnë shkëndija po ashtu mund të shkaktojë zjarre. Hedhja e shisheve të qelqit, po ashtu, mund të shkaktojnë paraqitje të zjarreve”, theksoi Stojançe Angellov, Drejtor i QMK-së.

Aktualisht në vend janë 14 zjarre aktive. Sot moti është diku 3 gradë më pak krahasuar me një ditë më parë, por gjithsesi, era është aktive, që do të thotë se kërcënimi për përhapjen e flakëve, është ende i pranishëm. /Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button