Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka njoftuar të martën se ka kryer patrullime përgjatë vijës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në komunën e Prishtinës, ku ndodhet edhe pikëkalimi kufitar në Mutivodë.
“Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO kreu patrullime përgjatë vijës kufitare administrative, në komunën e Prishtinës. Këto aktivitete ndihmojnë në promovimin e sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet lokale dhe për të konsoliduar stabilitetin rajonal”, ka thënë misioni paqeruajtës në një komunikatë.
NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon, përkatësisht pas sulmit të armatosur serb më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës.
Ndryshe, përkundër se situata në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, misioni i KFOR-it ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë kufirit.