LajmeRajon

Kurti në SHBA… takon një deputet malazez

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar deputetin e Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh zëvendëskryetarin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në opozitë, Ivan Vukoviç, në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Lajmin e ka bërë të ditur Vukoviç, i cili, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën në mbrëmje, ka njoftuar se me kreun e ekzekutivit kosovar ka diskutuar rreth situatës politike në Kosovë e Mal të Zi, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

“Kënaqësi të takohesha me kryeministrin Kurti dhe të diskutoja për situatën politike në Mal të Zi e Kosovë. Ne shpresojmë dhe punojmë për një ardhme paqësore, prosperuese dhe evropiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në parimet e demokracisë multietnike”, ka deklaruar deputeti malazez.

Ndryshe, shefi i Qeverisë së Kosovës është ftuar nga Instituti Kombëtar Demokrat (NDI) për të marrë pjesë në këtë ngjarje, në mesin e liderëve tjerë të partive politike. Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar më herët se kjo nuk është ftesë nga administrata amerikane.

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button