Një deklaratë e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku duke komentuar vizitën e kreut të CIA-s William Burns në Kosovë, kishte thënë se ai nuk do ta takonte kryeministrin Albin Kurti për shkak të bllokadës së vendosur nga institucionet amerikane është duke u shpëndarë e duke u ironzuar nga zyrtarët e Lëvzijes Vetëvendosje.
Ironizmi nga zyrtarët e LVV-së po bëhet pasi që sot shefi i CIA-s zhvilloi takim me kryeministrin Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci derisa ka shpërndarë deklaratën e Haradinajt, ka shkruar se nganjëherë është më mirë mos me folë.
“Nganjëherë më mirë është mos me folë. Kjo këshillë më së shumti kjo vlen për Ramushin”, shkruan deputeti në Facebook.
Ndërsa, anëtari tjetër i LVV-së, Avni Zogiani, po ashtu ka kritikuar Haradinaj.
“Ramush, le krejt bre…. hajt shko rri qashtu n’bjeshkë më shëndetshëm për ty edhe për opinionin publik”, ka pohuar ai.
Ndryshe, Ramush Haradinaj, të enjten kishte pohuar se Burns nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti për shkak të bllokadës së vendosur nga institucionet amerikane.
“Tani agjenda, një agjendë e këtillë është krejtësisht e rregulluar shumë kohë më parë, edhe po është praktike një gjë e tillë (të takohet me kryeministrit e një vendi). Mirëpo në rastin tonë kjo ndryshon për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve dhe bllokadës që ia kanë bërë institucionet e Amerikës kryeministrit Kurti. Pasi për koincidencë, Kurti s’është këtu, shefi i CIA-s takohet me shefin e AKI-së dhe me presidenten”, ka thënë Haradinaj në Tv Dukagjini.
Megjithatë, një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të CIA-s, William Burns u zhvillua mëngjesin e sotëm në ndërtesën e Qeverisë.
Burns poashtu të entjen ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Ndryshe, para Kosovës, Burns qëndroi në Sarajevë e më pas edhe në Beograd, në një linjë vizitash që është duke i bërë shteteve ballkanike.
Si në Bosnje, ashtu edhe në Serbi, amerikani takoi shefat e Agjencive të Intelegjencës të këtyre shteteve.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Ai po ashtu është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi. /Telegrafi/