Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se të enjten për vizitë në Kosovë do të jetë ndihmëssekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus.
I pari i Qeverisë Albin Kurti, e tha këtë në mbledhjen e Qeverisë. Kurti, tha se temë diskutimi do të jetë edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit.
“Të enjten për vizitë vjen Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s… ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.
Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull”, tha kryeministri Kurti të mërkurën. /KosovaPress/