Viti shkollor fillon më 2 shtator. Sipas ligjit, çdo i punësuar që ka një fëmijë që shkon në klasë të parë ka të drejtë atë ditë të jetë i lirë nga obligimet e punës, njofton Portalb.mk.
Dita e parë e shkollës është emocionuese për secilin fëmijë e sidomos për ata që do t’i nënshtrohen procesit edukativo- arsimor për herë të pare. Shteti ligjërisht e ka menduar që prindërit të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të rëndësishëm të fëmijës duke i liruar nga puna me pagesë atë ditë.
Në pajtim me nenin 47 të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik ( fq 11, 12), punëtori ka të drejtë për pushim të paguar për një ditë për ditën e parë të shkollës së fëmijës së tij që shkon për herë të parë në shkollë.
Gjithashtu, ka dhe disa ditë tjera speciale për të cilat ju takon ditë e lire me pagesë. Në vazhdimësi mund t’i kërkoni nëse jeni të punësuar në një institucion shtetëror, ndërsa nëse jeni të punësuar në sektorin privat atëherë duhet të shikoni nëse e lejon një gjë të tille, gjë për të cilën gjithnjë e më shumë ka pasur ankesa në Maqedoninë e Veriut se nuk respektohet mjaftueshëm kjo gjë në institucionet private.
Të bashkëngjitur në këtë shkrim e keni dhe ligjin dhe ditët për të cilat ju takojnë ditë të lira.
Neni 47
Mungesa nga puna me pagë gjatë një viti kalendarik i takon punonjësit, veçanërisht në rastet:
– kur martohen- tre ditë pune;
– për martesën e fëmijëve- dy ditë pune;
– për lindjen/birësimin e një fëmije- dy ditë pune;
– për vdekjen e bashkëshortit ose fëmijës- pesë ditë pune;
– për vdekjen e një prindi, vëllai/motra – pesë ditë pune;
– për vdekjen e prindit të bashkëshortit- dy ditë pune;
– për vdekjen e gjyshit/gjyshes- një ditë pune;
– për dhënien e një provimi profesional ose tjetër për nevojat e Ministrisë dhe të Armatës- tre ditë pune
– për mbrojtjen e doktoratës, masterit ose dhënien e provimit të jurisprudencës — pesë ditë pune;
– për marrjen e një provimi individual- një ditë pune;
– për zhvendosjen e familjes në të njëjtin vendbanim- dy ditë pune;
– për zhvendosjen e familjes nga një vend në tjetrin- tre ditë pune;
– për fatkeqësitë natyrore- tre ditë pune;
– dita e parë e shkollës për një nxënës të klasës së parë- një ditë pune;
– për pjesëmarrje në ngjarje sportive, kulturore dhe të tjera ku përfaqëson Ministrinë- tre ditë pune dhe
– për raste të tjera të justifikuara – një ditë pune.
Mungesa në punë nga paragrafi 1 i këtij neni shfrytëzohet gjatë ditëve të bazës dhe nuk mund të
refuzohet nga punëdhënësi.