LajmeRajon

Mbyllja e institucioneve paralele, Stano: Situatë goxha e paqëndrueshme në veri, Kosova t’i shmangë veprimet e pakoordinuara

Për mbylljen e pesë institucioneve paralale në veri nga Policia e Kosovës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se situata atje është goxha e paqëndrueshme dhe i ka bërë thirrje sërish autoriteteve kosovare që të shmangin veprimet e njëanshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Zëdhënësi i BE-së ka kërkuar që të mos merren hapa të pakoordinuar që kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më shumë.

Ai shpreson që të gjitha çështjet e ndodhura së fundmi të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me homologët kosovarë në nivele dhe formate të ndryshme dhe ne po i përcjellim mesazhet dhe pritshmëritë tona shumë qartë. Nuk do ta përsëris atë që thamë në reagimin tonë të javës së kaluar kur u zhvillua aksioni në veri të Kosovës kundër disa institucioneve të drejtuara nga serbët e atjeshëm. Por në fund të fundit kemi një problem”.

“Kemi një situatë që tashmë është goxha e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor është, dhe ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës, që të shmangin çdo veprim dhe hap që janë të njëanshëm, të pakoordinuar dhe mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më shumë. Pra, ne jemi duke u angazhuar me partnerët në Kosovë. Ne po i japim këto mesazhe dhe shpresojmë që më në fund të mundohemi t’i zgjidhim këto çështje aty ku i takojnë dhe i përkasin, para së gjithash, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano në konferencën e përjavshme në Bruksel.

Policia e Kosovës më 30 gusht mbylli pesë institucione paralele në veri, Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Madje, Policia e Kosovës ka ftuar për intervistim edhe pesë serbë përfaqësues të institucioneve paralele në veri.

Lidhur me aksionin, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen këto komuna paralele, derisa shtoi se mbyllja e tyre nuk do të duhej të ishte lajm pas kaq vitesh.

Lidhur me objektet ku funksionin këto institucione paralele, Veton Elshani tha për Reporteri.net gjatë ditës së djeshme, se ato do t’u kthehet pronarëve legjitim.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh e zhgënjyer dhe eshqetësuar me aksionin e Policisë së Kosovës. Në reagimin e ambasadës u tha se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhej në reagim.

 

Show More

Related Articles

Back to top button