Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka njoftuar se ka përgatitur Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Mbeturinave (SKMM) për periudhën 2024-2036 dhe për të njëjtën është duke e zhvilluar procedurën e vlerësimit strategjik mjedisor, transmeton Portalb.mk.
Strategjia paraqet një politikë kombëtare për menaxhimin e mbeturinave në Maqedoninë e Veriut dhe paraqet pikënisje për përgatitjen dhe zbatimin e një sistemi të integruar dhe ekonomik për menaxhimin e mbeturinave në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe të BE-së dhe kërkesat për mbeturinat.
SKMM përcakton udhëzimet për menaxhimin e duhur të mbetjeve për 12 vitet e ardhshme, bazuar në parimet e qëndrueshmërisë dhe shërben si bazë për menaxhimin e të gjitha rrjedhave të mbetjeve, thonë nga MMJPH.
“Objektivi i përgjithshëm i SKMM-së 2024-2036 është të zhvillojë një sistem të qëndrueshëm, të integruar të menaxhimit të mbetjeve me qëllim ruajtjen e burimeve, mbrojtjen e shëndetit të popullsisë dhe parandalimin dhe reduktimin e ndikimeve negative në mjedis, uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe degradimin e tokës”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Me qëllim të përfshirjes së publikut të interesuar dhe të prekur, janë organizuar gjashtë dëgjime publike në Tetovë, Shtip, Strumicë, Ohër, Manastir dhe Shkup.
Të gjithë të interesuarit mund të paraqesin vërejtjet dhe komentet e tyre në Ministrinë e Arsimit sipas udhëzimeve të dhëna në ueb-faqen të ministrisë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka arritur progres të kufizuar këtë vit në kapitullin Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, theksoi Komisioni Evropian në Raportin e fundit për vendin. Rekomandimet e vitit të kaluar janë përmbushur pjesërisht dhe në vitin e ardhshëm duhet të punohet në tre pika veçanërisht.