LajmeMaqedoni

“Branitellat”, Gashi s’do ta thirr seancën e Komisionit

As kreu i Kuvendit Afrim Gashi, nuk thirri seancën e Komisionit për politika sociale në Kuvend për të proceduar më tej ligjin për branitellat. Këtë nuk e bëri as kryetarja e komisionit Ilire Dauti e cila një ditë më parë deklaroi se sa të jetë ajo kryetare e këtij komisioni, ky ligj nuk do të jetë pikë e rendit të ditës. Megjithatë, Rregullorja e re parashikon që në rast se komisioni nuk thirret në afat prej 24 orësh nga detyrimi me të cilin njoftohet se nevoja për ndryshimin e ligjit është miratuar, seancën duhet ta thirr kreu i Kuvendit. Nga kabineti i Gashit thanë se kryetari i Kuvendit nuk mund të thirr seancë e cila është hapur më herët nga kryetarja e komisionit.

Nga koalicioni VLEN thonë se kritikat ndaj Gashit mund të vazhdojnë, por ligji për branitellat nuk do të kalojë në formën që është.

“Këto akuza do të jenë të vazhdueshme por ky ligj, përderi sa nuk merret parasysh edhe qëndrimi i partive politike shqiptare, konkretisht koalicionit VLEN për t’u inkorporuar edhe ish ushtarët e UÇK-së në këtë ligj, ky ligj nuk kalon, pavarësisht akuzave që i bëjnë të tjerët”, tha Rijad Shaqiri, VLEN.

Edhe VMRO-DPMNE-ja thonë se deputetët e LSDM-së është dashur të paraqiten një ditë më parë në seancën e Komisionit për politika sociale dhe të kërkojnë që Ligji të branitellat të futet në rend dite. Sipas tyre, gjithë kjo çështje është përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga politikat tjera të rëndësishme.

“Gjatë ditës së djeshme u caktua seancë Komisioni për politikë sociale dhe kaloi ligji për rritjen e pensioneve. Në këtë komision, propozuesit e ligjit pëer branitellat, Sllavjanka Petrovska dhe deputetët e LSDM-së të cilët në mandatin e kaluar tre herë e refuzuan këtë ligj i cili ishte propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, nuk u paraqitën në komision që të kërkojnë plotësim të rendit të ditës. Përse e bënë këtë, duhet të drejtohet pyetja te ata”, tha Bojan Stojanovski, VMRO.

Fronti Evropian thonë se VLEN e ka ndihmuar miratimin e nevojës së ligjit duke u paraqitur për të bërë kuorum, kurse VLEN akuzon se ishte Fronti ai që krijoi kuorumin.

Ligji për të drejtat e veçanta të anëtarëve të forcave të sigurisë dhe të anëtarëve të familjeve të tyre, i njohur si Ligji për branitellat, është propozim i Sllavjanka Petrovskës nga LSDM-ja. Ai parashikon shuma të majme financiare për ish pjesëtarët e ushtrisë dhe familjet e viktimave, ku përfshihen edhe ushtarët e periudhës së luftës së 2001-shit. Ligji nuk njeh dhe nuk rregullon të drejtat dhe ndihmat për ish ushtarët e UÇK-së, invalidëve të luftës dhe familjarët e viktimave nga radhët e UÇK-së.

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button