LajmeMaqedoni

Qytetarët “mes dy zjarreve”! Dru për ngrohje nuk ka, rryma e shtrenjtë!

Në Maqedoninë e Veriut çdo vit bëhet më i vështirë për qytetarët të cilët ngrohen me dru, për shkak se vështirë gjenden dhe janë shumë shtrenjtë. Çmimi më i ulët është 50 euro për metër kub. Pasojë e kësaj janë edhe zjarret e shumta që shkrumbuan malet në vendin tonë. Kjo bëri që të ketë kontrolle të shtuar nëpër male nga prerësit ilegalë, nga të cilët furnizohen shumica e qytetarëve. Banorët të cilët intervistoi TV21 thonë se nuk dinë nga t’ia mbajnë! As me dru se as me rrymë, ndërsa dimri po troket!

“Atë duhet t’i pyesim haramat, kriminelët, nuk ka dru kriminelët punojnë kjo është kjo. Me dru ngrohemi por nuk ka shanse të gjejmë”

“Rrezik është shumë në Maqedoni, rreziku më i madh është, qeveria e re nuk i lë njerëzit të presin drunjtë as shqiptarët as romët as maqedonasit kemi rrezik të madh “

“Me dru ngrohemi por gjysmat i kemi siguruar dhe gjysmat duhet t’i sigurojmë, t’i kontaktojmë në telefon, ata atë e kanë punë dhe gjinde, 50 euro është një metër kub”

“Sipas këtyre që flasin këtu thonë se më lirë është me rrymë se sa me drurët, sepse drutë janë shumë shtrenjtë”.

“Situata është si t’ju them nuk bënë, janë shumë shtrenjtë populli nuk ka para t’i paguaj. Me dru ngrohemi dhe nuk kemi, pak kemi pak nuk kemi”

TV21 kontaktoi Ndërmarrjen Pyjore “Llapushnik” në Kërçovë. Për dallim prej viteve të kaluara ata thonë se këtë vit kanë siguruar më shumë dru për qytetarët dhe thonë se në depon e filialit ka dru për momentin. Megjithatë, në nivel shtetëror situata është kaotike dhe nëpër depot e shumë filialeve të ndërmarrjeve nuk ka dru rezervë, për shkak se nga qeveria e kaluar janë pranuar 400 punëtorë terreni për të prerë dru por ata rrinë nëpër zyra dhe nuk duan ta kryejnë detyrën e tyre, tha drejtori i ri i Ndërmarrjes Pyjet Kombëtare Zdravko Trjanov.

“Në vetëm pak ditë, të gjithë ata persona që u punësuan si prerës, me përjashtim të dy-tre në të gjithë vendin, marrin urdhër pune për të qenë në administratë. Dhe tani, kemi një situatë ku në letër kemi kushtimisht 320 prerës, por në praktikë këta janë njerëz të punësuar që janë të përfshirë në administratë. Dhe tani ne kemi një problem me ata njerëz. Ata nuk duan të kryejnë detyrat e tyre të punës”, tha Zdravko Trajanov, drejtor i NP “Pyjet Kombëtare”.

Rikujtojmë se ndërmarrja “Llapushnik” Kërçovë tre vitet e fundit nga udhëheqësit paraprak ka pasur disa afera korruptive për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe dëmtim të ndërmarrjes me 300 mijë euro, procedurë e cila është në shqyrtim e sipër, siç tregoi edhe hulumtimi i fundit i EuroThink në vitin 2021. Në gjendje të këtillë janë edhe shumë filiale tjera të vendit që ka bërë që borxhi i Ndërmarrjes Shtetërore “Pyjet Kombëtare” të arrijë në 10 milionë euro.

 

 

 

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button