Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua dje me përfaqësues të shoqatave të diasporës sonë në Venecia të Italisë.
Zyra e kryeministrit njofton se në takim janë diskutuar për disa tema, transmeton Telegrafi.
“Në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve por edhe të mirëqenies sociale. U bashkëbisedua gjithashtu për mërgatën tonë si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se “Kryeministri radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomik, ku përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave, rritjen e qarkullimit të bizneseve”.