LajmeRajon

Bashkëpunimi Kosovë-Kuvajt, Kurti diskuton me princin Al Sabah mundësitë e investimit në fushat strategjike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në New York nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se në këtë takim, Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.

Gjatë bisedimeve, Kurti dhe Princi i Kuvajtit diskutuan rreth fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e investimeve. Kurti e falënderoi Kuvajtin për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës, duke nënvizuar progresin që ka bërë vendi në vitet e fundit.

Kryeministri përmendi indikatorët kryesorë të zhvillimit ekonomik, duke e theksuar rritjen mesatare prej 6.2%, e cila u përshëndet edhe nga Princi i Kuvajtit, i cili e uroi Kosovën për hapat e saj zhvillimorë.

Bisedimet përfshinë gjithashtu potencialin investues në Kosovë dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura dhe infrastruktura.

Kryeministri Kurti ftoi kompanitë kuvajtiane që të investojnë në Kosovë, duke siguruar një ambient të sigurt për të bërë biznes. Ai gjithashtu sugjeroi mbajtjen e një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë, për të promovuar mundësitë e investimeve./Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button