LajmeMaqedoni

Thaçi nuk gjen më vend në “krahët” e Frontit Evropian?!

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili me profesion është dentist, por me zanat politikan, është ndër figurat me stazhin më të gjatë në skenën politike të vendit, herë në pushtet e herë në opozitë, edhe pse asnjëherë nuk i fitoi zgjedhjet. Prej vitit 2004 e ndjek hija e Listës së Zezë amerikane, në të cilën ishte vendosur për aktivitete ekstremiste duke vepruar për minimin e Marrëveshjes së Ohrit. Largimi i mundshëm i Menduh Thaçit nga Fronti Evropian, më tepër ka ngritur çështjen nëse ky akt tregon nisjen e rikonfigurimit të skenës politike, sesa ardhmërinë e bashkëpunimit të PDSH-së me koalicionin opozitar, në të cilin, edhe ashtu kontribuon vetëm me një deputet.

Pyetja që ka zënë hapësirën mediatike, është nëse braktisja eventuale e Thaçit, nënkupton pikënisje për shpartallimin e Frontit Evropian, atë që në vazhdimësi koalicioni VLEN e propagandon. Por, paralajmërimet e PDSH-së janë që edhe nëse largohet nga Fronti, Thaçi do ta vazhdojë komunikimin me liderin Ali Ahmeti.

Bashkimi i Ahmetit dhe Thaçit në një koalicion parazgjedhor ishte jo i natyrshëm. Këtë e pati pranuar me gojën e vet edhe lideri i BDI-së.

“Po t’i thoshe dikujt, para 15-16 vitesh se unë dhe Menduh Thaçi do të nënshkruajmë marrëveshje bashkë për një front, do thoshin është çmenduri”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Vetëm katër vite para kësaj deklarate të Ahmetit, Thaçi kishte akuzuar kreun e BDI-së se udhëheqë grup kriminal dhe madje kishte dashur ta eliminojë fizikisht.

“Ali Ahmeti është udhëheqës i një grupi kriminal që i kanë terrorizuar shqiptarët e Maqedonisë 18 vite. Kur kanë arritur gjithkënd ta gjunjëzojnë dhe frikësojnë, kanë dashur dhe mua të më eliminojnë fizikisht. Ali Ahmeti, 18 vite i terrorizon shqiptarët e Maqedonisë dhe unë s’kam asgjë të përbashkët me të. As që do të kem në të ardhmen”, tha Menduh Thaçi, kryetari i PDSH-së.

Pasi ia dha “fjalën” Ahmetit për koalicionim, Thaçi ndryshoi retorikën ndaj kreut të BDI -së për 360 shkallë. Duke dashur ta arsyetojë koalicionimin me kundërshtarin e përbetuar politik, Thaçi deklaronte se ka pasur bashkëpunim me BDI-në që para luftës së vitit 2001.

“E di se duket e çuditshme, ndoshta shpeshherë e pakuptueshme dhe banale. Por, më lejoni t’u përkujtoj se bashkëpunimi me zotëri Ahmetin dhe partinë e tij nuk është i tanishëm. Nuk është sot. Ky bashkëpunim ka një histori, në këtë histori ka fakte të dokumentuara dhe kjo histori fillon prej Marrëveshjes Prizrenit”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetari i PDSH-së.

Njollë e zezë në biografinë e Thaçit, padyshim është përgjimi i publikuar nga ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Në bisedë, Thaçi dëgjohet duke i thënë shefit të Policisë së atëhershme Sekrete, famëkeqit Sasho Mijallkov, sе do të jetë besnik për gjithçka deri në vdekje. Si pasojë e përgjimeve, Thaçi u dënua me tre vjet burg për parregullsi zgjedhore, por dënimin asnjëherë nuk e vuajti. Lënda, vazhdon të endet nëpër labirintet gjyqësore. Edhe pse Zaev i publikoi përgjimin, Thaçit nuk i pengoi që të bëhej pjesë e qeverisë së udhëhequr nga vetë Zaev. Madje, në disa dalje publike, ai lavdëronte se Zaev ka bërë më shumë për shqiptarët sesa BDI. Në vitin 2021, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, Thaçi është kapur nga Policia duke drejtuar një automjet, i cili bashkë me një tjetër automjet kanë bartur persona të cilët kanë dëmtuar material zgjedhor të kundërkandidatit nga Aleanca për Shqiptarët. /Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button