LajmeRajon

Kurti: Jackson do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës

Komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Michael Jackson ka ndërruar jetë të martën në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

Kryeministri Albin Kurti shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e një njeriu të rëndësishëm, duke theksuar rolin e tij në procesin e paqes.

“Shëndeti nuk e la të vije në Kosovë për të bashkuar me ne në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit, por Gjenerali Michael Jackson do të mbetet përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës,” tha Kurti.

Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë.

Kurti ka shtuar se Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999.

“Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”.   Populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri shtoi se në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, Kosova shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerësime të larta për shërbimin dhe përkushtimin e tij. /Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button