Shorti për eliminatoret e Botërorit do të hidhet më 13 dhjetor, ndërsa ndeshjet e para janë planifikuar për në mars të vitit të ardhshëm. Evropa siguron 16 përfaqësuese, ndaj kualifikimet do të ndahen në 12 grupe, nga të cilët fituesit do të shkojnë direkt në kampionat, ndërsa të gjithë nënkampionët do të luajnë një play-off së bashku me katër skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve.
Vazot për shortin kualifikues do të përcaktohen kur të luhet ndeshja e fundit e Ligës së Kombeve dhe para ciklit të fundit, 38 vende nga 54 e dinë tashmë se me cilën kapele do të jenë në short.
Kosova dhe Shqipëria tanimë janë të sigurta në cilat vazo do të jenë dhe ato mund edhe të jenë në të njëjtin grup për Kualifikimet e Kampionatit Botëror, pasi “Dardanët” ndodhen në vazon e katërt dhe “kuqezinjtë” në vazon e tretë.
Në vazon e parë sigurisht që do të jenë Franca, Spanja, Anglia, Belgjika, Holanda, Portugalia, Italia, Gjermania dhe Kroacia. Vetëm katër kombëtare janë të sigurta në vazon e dytë, konkretisht Ukraina, Turqia, Suedia dhe Uellsi.
Të sigurta në vazon e tretë janë: Republika e Irlandës, Finlanda, Gjeorgjia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Islanda, Irlanda e Veriut dhe Mali i Zi.