LajmeMaqedoni

Sot mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut – Kosovë, kjo është agjenda

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski mbledhjen e parë jashtë kufijve të vendit do ta mbajë sot në Prishtinë, me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Një ditë para mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Protokollit për implementimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, si dhe memorandumin e mirëkuptimit në sektorin e energjisë.

Pika e përbashkëta kufitare do të mundësojë lehtësimin e qarkullimit midis qytetarëve dhe bizneseve të të dyja shteteve, ndërsa marrëveshja energjetike vjen si përgjigje ndaj sfidave të tranzicionit energjetik dhe krizës energjetike në rajon.

Takimi ndërqeveritar fillon nga ora 10:30 me arritjen e delegacioneve të të dyja vendeve, kryeministrit Albin Kurti në ora 10:50, kryeministrit Hristian Mickoski në orën 10:55.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes së kryeministrit Kurti mbahet nga ora 10:55, për të vazhduar me fotografinë e përbashkët ora 11:10 dhe takimin bilateral ora 11:20. Njëkohësisht mbahet takimi bilateral ndërmjet ministrave homologë – ora 11:20.

Takimi ndërqeveritar, sipas agjendës, do të fillojë në ora 12:00, për të vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale, ndërsa konferenca e përbashkët Kurti-Mickoski nga ora 13:45-14:15, për të përfunduar me drekën zyrtare dhe largimin e delegacioneve.

Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup, kur Zoran Zaev ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në të cilën kabinetet qeveritare nënshkruan 11 marrëveshje për bashkëpunim në shumë fusha.

 

Show More

Related Articles

Back to top button