LajmeMaqedoni

Shteti do të shpenzojë më shumë para për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, ndërtimi i së cilës ka filluar që nga viti 2014

Autostrada Kërçovë-Ohër nuk do të përfundojë vetëm me 600 milionë euro, aq sa ka kushtuar deri më tani ndërtimi i saj. Për përfundimin e saj do të nevojiten më shumë fonde, paralajmëroi sot drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Koce Trajanovski, i cili së bashku me ministrin e transportit Nikolloski inspektuan punimet ndërtimore.

“Ndoshta do të duhen sepse ky projekt është bërë që në vitin 2014. Atëherë standardet ishin ndryshe, tani janë ndryshe dhe ne duhet t’i ndjekim standardet evropiane. Dhe kjo është arsyeja pse mund të duhet që të plotësohet diku. Nuk mund t’ju them sa, sepse nuk kam informacione. Afati i përfundimit të kësaj autostrade është viti 2026 dhe ne shpresojmë dhe përpiqemi ta përfundojmë deri në atë kohë, normalisht nëse nuk shfaqen probleme të paparashikuara”- Koce Trajanovski – drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, tha se deri në fund të vitit 2026 do të jetë gati e gjithë autostrada.

“Deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik do të përfundojmë diku rreth 40 kilometra autostradë nga hyrja e Ohrit deri në fshatin Vërbjan, pra aty ku fillon Preseka, me pjesë të vogël afër fshatit Botun sepse ka rrëshqitje të madhe dheu atje, e cila duhet zgjidhur. Deri në fund të vitit 2026 do të përfundojë e gjithë zgjidhja e autostradës nga Kërçova në Ohër, e cila menjëherë do të lidhet me autostradën Kërçovë-Bukojçan, për të cilën aktualisht ka para-kualifikim dhe pres që në pranverë të zgjidhet realizuesi. Ka filluar puna edhe në autostradën Gostivar-Bukojçan, gjegjësisht anashkalimin e Strazhës si dhe në autostradën Gostivar-Tetovë” – Aleksandar Nikolloski- Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Kryetari i Ohrit tha se ndër vite kjo autostradë po dëmton sidomos turizmin.

“Kjo autostradë vite të tëra paraqet problem jo vetëm për turizmin, por edhe për lidhjen e Ohrit me kryeqytetin. Kjo që po ndodh këto ditë, ku vërehet puna nën reflektorë, si dhe puna e vazhdueshme si e makinerive, ashtu edhe e njerëzve, na jep të drejtën të presim që ajo që kemi dhënë si premtim të jetë shumë shpejt e realizueshme dhe me këtë do e kthejmë shpresën e qytetarëve” – Kiril Pecakov – Kryetar i Komunës së Ohrit.

U tha se do të punohet edhe në muajt e dimrit, si dhe në kushtet e natës duke i shtuar asfaltit aditiv, me çka do të zgjatet sezoni ndërtimor. Autostrada Kërçovë-Ohër ndërtohet prej më shumë se 10 vitesh. Ndërtimi filloi në vitin 2014, në kohën e Nikolla Gruevskit, me disa shkelje të afateve të deritanishme. Afati i fundit ka qenë deri në vitin 2023, por është shkelur nga qeveria e mëparshme. /alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button