LajmeRajon

Ta ngremë zërin kundër shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni

“Duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat e shqiptarëve. Nuk duhet të qëndrojmë as të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta”, ka thënë presidentja Osmani në seancën e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë

Prishtinë, 20 dhjetor – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të forcojnë koordinimin e bashkërendimin. Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo ka thënë se autoritetet e të dyja shteteve duhet ta ngrisin zërin më shumë se kurrë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.

“Është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme, si dhe bashkëpunimi në mbrojtje të pavarësisë të Kosovës dhe sovranitetit tonë dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Shqiptarët në Luginë i kanë sytë kah ne, atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat, derisa bota demokratike po i mbyll sytë. Duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat e shqiptarëve. Nuk duhet të qëndrojmë as të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta”, ka thënë ajo në seancën e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Osmani ka theksuar se shtetet duhet ta shfrytëzojnë momentin për të ndërtuar unitet. “Një Shqipëri më e fortë, do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lart Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar harmoninë dhe unitetin e domosdoshme”. Për t’i tejkaluar pengesat me të cilat përballet, Osmani ka thënë se Kosovës i duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë.

“Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet janë tejet të mëdha. Padrejtësisë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE do jetë më i sigurt, më i qëndrueshëm e më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Anëtarësimi në NATO do t’i japë fund përfundimisht apetiteve të Serbisë ndaj Kosovës. Për ta arritur këtë të ardhme është jetike ta forcojmë koordinimin, bashkërendimin mes shteteve tona”, ka thënë ajo.

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button