GostivarLajme

Shabani në mision për t’i ribashkuar Taravarin dhe Selën

Ziadin Sela dhe Arben Taravari vitin 2025 pritet ta nisin me një takim të përbashkët. Kështu thotë Isen Shabani, nënkryetari i ASH-së, krahu i Selës. Ai në emisionin “Politica” në televizionin Globi, tha se iniciativën do ta ndërmarrë personalisht për të ulur Selën dhe Taravarin. Nuk premton një datë, por le të kuptohet se angazhimin e tij për të ribashkuar dyshen në fjalë do ta bën pas vendimit të Gjykatës se kujt i takon partia, vendim që pritet të merret diku nga 20 janari.

“E premtojë publikisht dhe e them tash, ja e premtojë këtu, po si do të jetë, do ta shohim”.

Shabani thotë se Sela nuk është pro ndarjes së partisë dhe të gjithë, siç ai shprehet, dëshirojnë ta shohin ASH – në siç ka qenë dikur.

“Jo, assesi. Nuk është edhe për ndarjen, por duhet parë mundësitë se si të bëjmë një mes të përbashkët dhe Aleanca të jetë ajo Aleanca që ka qenë”.

Shabani pret që viti i ardhshëm të sjellë ndryshime të mëdha politike në vend. Si pasojë e mosnodhjes së ndryshimeve kushtetuese dhe zhbllokimit të rrugës evropiane të vendit, thotë se kryeministri Mickoski do të obligohet të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.

“Unë besoj që ai me vetëdëshirë do të shkojë në zgjedhje dhe do ta tregojë realitetin ashtu siç është pasi që veç ka filluar me deklaratat e fundit që kam dëgjuar, do ta paraqes realitetin para palës maqedonase, elektoratit maqedonas”.

Zhvillimet e fundit që ai pret të ndodhin, do ta përcaktojnë edhe funksionimin e Frontit Evropian. Thotë se aktualisht kanë bashkëpunim korrekt, por shton se nuk ka garanca nëse në zgjedhjet lokale do të garojë së bashku.

“Si Front kemi një bashkëpunim korrekt dhe me siguri tani presim zgjedhjet lokale që përsëri do të ketë, të paktën unë kështu e shoh, siç flasim në kryesi të partisë që ne duhet të ulemi dhe në bazë të analizave tona kushtimisht, në bazë të sondazheve se kush, ku do të jetë dhe të ketë një marrëveshje me cilët kandidatë ku do të garojë dhe është mirë që të jemi në dy grupe. Por nëse nuk do të ndodh ajo, nuk është se ne mund ta garantojmë atë, do ti shohim edhe zhvillimet e fundit”.

Shabani i cili është edhe kryetar i Komunës së Vrapçishtrit, pas një viti mbaron mandatin e dytë në krye të kësaj komune. Thotë se vitin e fundit të mandatit do të ketë edhe disa projekte që pritet të mbyllen me të cilat, siç ai thekson, komuna do të transformohet tërësisht. Mesin e tyre e paralajmëron edhe ndërtimin e objektit të ri të komunës i cili pritet të zhvendoset në zonën industriale përgjatë autostradës. I pyetur nëse do të garojë edhe për një mandat, shprehet se ai vetë nuk dëshiron, por nëse ia kërkon partia do të bëjë veten, siç shprehet “kurban”.

Show More

Related Articles

Back to top button