Kryetari i Kuvendit të madh nacional të Turqisë, Numan Kurtulmush, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në intervistë për MIA-n thotë se bashkëpunimi parlamentar vijon marrëdhëniet e përgjithshme miqësore dhe dypalëshe ndërmjet dy vendeve, por gjithashtu pret një rritje të dyfishtë të investimeve turke në vend.
“Siç edhe ju e theksuat, ka marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve që reflektohen në vetë bashkëpunimin ekonomik. Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe mes dy vendeve tona, vëllimi tregtar është afër një miliard dollarë dhe mendojmë se është i pamjaftueshëm. Ne besojmë se qarkullimi dypalësh prej dy miliardë dollarësh është një synim real që mund të arrihet dhe e di që të dyja palët kanë vullnet për të zhvilluar tregtinë dypalëshe. E dimë se në vend ka një numër të madh të investitorëve turq, të cilët sipas njohurive dhe informacioneve që kam, ofrojnë punësim për mbi 10 mijë qytetarë të këtij vendi”, tha Kurtulmush.
Kompanitë turke, shton ai, janë të pranishme edhe në projektet infrastrukturore, por thekson edhe faktin se në tetor në vend është hapur zyra rajonale e kompanisë nga industria e mbrojtjes “Aselsan”.
“Sigurisht, me këtë rast dua të nënvizoj faktin se në industrinë e mbrojtjes kemi zhvillim të bashkëpunimit dypalësh, faktin se kompania shtetërore turke nga industria e mbrojtjes “Aselsan” ka hapur një zyrë në Shkup, e cila është jo vetëm përgjegjës për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Mendoj se është shumë domethënëse në drejtim të thellimit të bashkëpunimit tonë”, tha kryetari i Kuvendit të Turqisë.
Në aspektin e bashkëpunimit në turizëm, thotë Kurtulmush, Maqedonia e Veriut ka një vend të jashtëzakonshëm për turistët turq, veçanërisht Shkupi dhe shumë qytete të tjera, të cilat, siç theksoi, ngjajnë shumë me qytetet e vjetra osmane si Bursa, Manisa dhe Amasja.
“Vendi dhe qyteti kanë thesare të mëdha historike dhe kulturore dhe kështu vendi dhe qyteti bëhen një atraksion turistik që tërheq një numër në rritje turistësh. Besoj se bashkëpunimi ekonomik dypalësh do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, tha kryetari i Kuvendit të Madh nacional të Turqisë, Numan Kurtulmush.
Në intervistën me kryetarin e Kuvendit të Turqisë diskutojmë për vizitën e vendit, bashkëpunimin parlamentar, për integrimet evropiane dhe ngjarje globale.
Intervista e plotë me Kurtulmush me videomaterial do të publikohet më vonë gjatë ditës.